Qëllimi ynë është gjithmonë informimi i klientëve tanë për llojin, origjinën, cilësinë dhe veçoritë e çdo tapeti të punuar me dorë, si një vepër arti e përditshmërisë sonë. Më poshtë ju paraqesim disa informacione lidhur me disa lloje tapetesh, bazuar në origjinën e tyre. Shpresojmë t’ju kënaqin dhe do gëzonim të na vizitonit nga afër për të parë koleksionin tonë të pasur.
• TAPETE NAIN
Këto tapete vijnë nga një qytet i vogël persian, mes Isfahanit dhe Yazd-it. Karakterizohen nga një dekor bimor i pasur, që përfshin lule, spirale, gjethe dhe motive të tjera të frymëzuara nga mjedisi natyror. Ngjyrat mbizotëruese te një tapet Nain janë bluja e thellë dhe e kaltërta, të kombinuara me nuanca bezhë dhe fildishi. Kjo kategori tapetesh persiane konsiderohet ndër më të rafinuarat, ndërsa shumica përbëhen nga 500.000 deri në 1.000.000 nyje për metër katror. Materiali i përdorur zakonisht është leshi, i kombinuar me detaje mëndafshi ose pambuku, duke krijuar kështu një lojë të veçantë drite dhe hijesh.
• TAPETE TABRIZ
Qyteti Tabriz, i cili prodhon këto tapete të famshme, ndodhet në veriperëndim të Iranit, pranë provincës së Azerbajxhanit, dhe kufizohet me Rusinë dhe Turqinë. Për shumë shekuj është konsideruar një nga qytetet më të lavdishme persiane, me kulturë dhe histori të pasur, pasi gjatë shekullit XIII u bë kryeqyteti i Perandorisë Mongole. Tapetet e këtij qyteti dallohen për cilësinë e tyre të jashtëzakonshme, e cila, e kombinuar me motivet bimore të rafinuara dhe ngjyrat pastel, krijon një ndjenjë bukurie të qetë. Dekori i zakonshëm përfshin një medaljon në qendër, i rrethuar nga lule, arabeska dhe degë. Një motiv tjetër i shpeshtë është paraqitja e katër stinëve, që përshkruan jetën e bujqve gjatë pranverës, verës, dimrit dhe vjeshtës. Këto tapete kanë 500.000 deri 1.000.000 nyje për m², dhe për prodhimin e tyre përdoret lesh i kombinuar me pambuk ose mëndafsh; prania e mëndafshit në disa pika u jep një ndjenjë të veçantë thellësie dhe detaji. Përmes artit të tyre, mjeshtrat e Tabriz-it shpesh i bënin homazh poetëve të mëdhenj persë.
• TAPETE ESFAHAN (ISFAHAN)
Ky qytet ndodhet në qendër të Persisë, në një lartësi mbi 1.500 metra, dhe është i famshëm për bukurinë e tij të pakrahasueshme. Ka qenë kryeqyteti i Persisë deri në fund të shekullit XIX, ndërsa tapetet e tij kanë 600.000–1.000.000 nyje për m². Materiali i përdorur është një lloj leshi shumë delikat, por njëkohësisht i qëndrueshëm, i njohur për bukurinë dhe shkëlqimin e tij. Zakonisht këto tapete ndërtohen me shtyllë (stimon) mëndafshi, ndërsa i njëjti material përdoret për t’u dhënë dritë detajeve të motiveve kryesisht bimore. Tapetet e Isfahanit konsiderohen ndër kategoritë më të mira dhe më të bukura të tapeteve persiane.
• TAPETE QOM (GOM)
Qyteti i shenjtë Qom ndodhet në jug të Persisë. Tapetet e këtij qyteti përfshijnë një tematikë jashtëzakonisht të pasur: nga ornamente bimore dhe skena kopshtesh, deri te skena gjuetie, paraqitje kupolash tempulli dhe motivi i njohur pers “pema e jetës”. Kanë 600.000–1.000.000 nyje për m² dhe leshi i përdorur shpesh quhet “kolk”, një cilësi e shkëlqyer, e marrë nga qafa e kafshës, e butë me ndjesi si mëndafshi. Shpeshherë leshi përdoret në kombinim me mëndafshin ose anasjelltas. Kjo kategori tërheq admirim për finesën e saj unike, shumëllojshmërinë e dizajneve dhe përfundimin perfekt.
• TAPETE KASHAN
Tapetet që vijnë nga qyteti Kashan dikur zbukuronin oborrin e Shah Abbasit të Madh, për të cilin edhe ishin krijuar, gjatë periudhës së rilindjes persiane. Bëhet fjalë për pjesë të mrekullueshme, të endura me ar dhe argjend, që mbajnë emrin e Shah Abbasit. Varietetet moderne paraqesin një medaljon oval në qendër, i rrethuar nga lule dhe arabeska. Ndonjëherë haset edhe motivi i lutjes. Ngjyrat mbizotëruese janë e kuqja dhe bluja e thellë në të zezë. Në përgjithësi këto tapete kanë cilësi shumë të mirë dhe enden me një lesh vërtet të rafinuar.
• TAPETE MODERNE
Tapetet moderne janë një kategori kryesore e tapeteve të punuara me dorë, pasi vijnë nga vende dhe rajone të ndryshme anembanë botës. Në Persi, Indi dhe Pakistan ka artistë të specializuar që prodhojnë një shumëllojshmëri të madhe të tilla tapetesh. Kjo kategori njihet lehtë, pasi artistët preferojnë të lënë shumë hapësirë të lirë në dekor, ndërsa shumica e motiveve janë gjeometrike (katrorë, trekëndësha, vija horizontale ose vertikale) të realizuara në shkallë të vogël. Ngjyrat e përdorura janë kryesisht bazike (blu e thellë, e kuqe, fildish), të kombinuara me një ose maksimumi edhe dy ngjyra të tjera. Shumica dallojnë për stilin e tyre minimalist/abstrakt dhe janë tejet të njohura në Europë dhe Amerikë.
• TAPETE SAROUGH (SAROGH)
Këto tapete vijnë nga rajoni i gjerë Sarough në perëndim të qendrës së Persisë dhe zakonisht hasen në ngjyra të kuqe ose blu, ndërsa prodhohen me shumë variante dizajni. Shpesh kanë një medaljon në qendër, të rrethuar nga një bordurë e përcaktuar rreptësisht. Leshi është me cilësi të lartë, duke e bërë tapetin të trashë dhe të qëndrueshëm. Modelet janë të dendura me detaj dhe saktësi. Për shkak të qëndrueshmërisë së tyre janë të përshtatshme për përdorime të shumta.
• TAPETE HAMEDAN
Ky qytet, një nga më të lashtët në botë, ndodhet në veriperëndim të Persisë dhe tapetet e tij prodhohen në 500–600 fshatra. Çdo fshat ka variacionet e veta në teknikë. Këto tapete janë zakonisht shumëngjyrëshe dhe prodhohen nga lesh i shkëlqyer. Motivet janë gjeometrike dhe ngjyrat e tyre të forta.
• TAPETE KAZAK
Prodhpohen në Pakistan. Motivet janë të frymëzuara nga dizajne gjeometrike ruse dhe leshi i përdorur është natyral. Janë tapete të qëndrueshme, me ngjyra intensive dhe të fuqishme, dhe lahen me gur, çka u jep një teksturë me shkëlqim. Zakonisht kanë push të hollë dhe, për shkak të dizajnit dhe ngjyrave, përshtaten lehtë në shtëpi dhe hapësira me stile të ndryshme.
• TAPETE YALAME (YALAMEH)
Ky rajon ndodhet në jug të Persisë, ku prodhohen tapete nomade me ngjyra të thella dhe të forta dhe me shumëllojshmëri të pasur dizajni. Një motiv i zakonshëm i tapeteve Yalameh janë medaljonet e përsëritura në formë diamanti. Cilësia e tyre është e shkëlqyer.
• TAPETE ABADEH
Tapetet e këtij qyteti (jugperëndim i Persisë) janë shumë të qëndrueshme dhe tërheqëse. Dizajnet frymëzohen nga jeta nomade, ndërsa motivi më i zakonshëm është gjashtëkëndëshi në qendër, që kornizon një rozete ose medaljon. Ngjyrat mbizotëruese janë e kuqja dhe kafeja, me detaje blu; si lloj tapeti është shumë funksional dhe praktik. Fillimisht, për shkak se tapetet e zonës nuk kishin diçka të veçantë në teknikë, banorët u ndikuan nga nomadët Gashgai, prej të cilëve adoptuan ngjyra dhe dizajne, duke i integruar më pas në artin e tyre.
• TAPETE KELARDASHT
Këto tapete prodhohen në fshatin Kelardasht në Persinë veriore. Motivi kryesor është gjashtëkëndëshi, i rrethuar nga vija të bardha primitive, shpesh me një skarabe në qendër. Ngjyrat janë të forta me nuanca blu dhe të kuqe. Pushi është i trashë, por i butë dhe i qëndrueshëm.
• TAPETE MASHHAD
Ky rajon, që është edhe qytet i shenjtë, ndodhet në verilindje të Persisë. Motivi mbizotërues është medaljoni me lule, i vendosur në qendër të kompozimit, në ngjyra blu të errët dhe të kuqe. Leshi i përdorur është shumë i butë (i trashë dhe me yndyrë natyrale) dhe këto tapete i ngjajnë shumë atyre të Kashan-it. Shpesh kanë edhe ngjyra bezhë.
• TAPETE LORI
Këto tapete prodhohen nga nomadët Lur në jugperëndim të Iranit. Në sipërfaqe paraqiten motive gjeometrike (rombe ose figura të stilizuara kafshësh dhe bimësh) dhe teknikisht i ngjajnë mjaft tapeteve Ghashghai, me dallimin se dizajni këtu është më i rrallë dhe më abstrakt. Leshi është i butë, shpesh edhe prej dhie. Janë të cilësisë së shkëlqyer dhe, për shkak të qëndrueshmërisë, të përshtatshme për përdorime të shumta.
• TAPETE ZIEGLER
Prodhpohen në Pakistan sipas teknikave tradicionale të adoptuara nga Arak-u i Persisë. Leshi është me cilësi të lartë dhe i qëndrueshëm, ndërsa ngjyrat janë natyrale dhe bimore. Ekziston edhe një punishte e vogël Ziegler në Indi. Në Britani, fabrika e parë Ziegler u krijua në 1870. Dizajnet frymëzohen nga modelet e vjetra të tapeteve tradicionale dhe u japin pamje antike. Meqë ngjyrat janë bimore, krijohet një pamje më e errët, e cila zbutet sapo tapeti lahet dhe vendoset në diell. Mund të vendosen në dhomë ngrënieje, sallon ose dhomë fëmijësh. Ka edhe Ziegler me motive moderne, por edhe ato ndjekin teknikat tradicionale.
• TAPETE KHAL MOHAMMADI
Këto tapete vijnë nga Afganistani. Meqenëse vendi ka përjetuar shpesh sulme dhe gjendje lufte, motivet e tyre janë zakonisht luftarake. Ngjyrat mbizotëruese janë e kuqja e fortë—simbol i gjakut të luftëtarëve—në kombinim me të zezën. Janë shumë të qëndrueshme dhe leshi shpesh vjen nga dhia. Vendosen në hyrje, në dhomë ngrënieje ose para oxhakut. Ishin kategoria e parë e tapeteve që erdhi në sasi të mëdha nga Lindja në Europë.
• KILIMA
Shumica e kilimave prodhohen në Iranin jugor, por edhe në Afganistan. Tekstura e tyre është e fortë, si çeltik, dhe nuk kanë push. Sa i përket dizajnit, në të dyja anët përsëriten në simetri të njëjtat motive. Ngjyrat janë zakonisht të forta dhe të qarta dhe motivet gjeometrike. Janë të qëndrueshëm, ndaj mund të përdoren kudo, madje edhe në natyrë, siç bëhet në Persi (për piknik). Materiali i përdorur është kryesisht leshi si në shtyllë ashtu edhe në push, ose pambuku (për shtyllën); në disa kilima të artizanatit të lartë, si baza ashtu edhe pushi mund të jenë prej mëndafshi. Disa kategori kilimash janë punuar me hollësi të veçantë me metodën “suzanni”, ku mjeshtrat e endin me gjilpërë—centimetër pas centimetri—duke arritur detaj dhe qartësi të jashtëzakonshme në dizajn.
• TAPETE BALOCH
Kjo kategori është nomade, pasi prodhohet nga banorët endacakë në kufirin midis Iranit dhe Afganistanit. Për këtë arsye të dy vendet kanë prodhim të pasur tapetesh Baluch. Motivet janë kryesisht gjeometrike dhe bimore, ndërsa “pema e jetës” është një dizajn i zakonshëm dhe shumë popullor. Ngjyrat e përdorura janë e kuqja e thellë e kombinuar me blu ose të zezë. Tekstura është mjaft e butë. Vendosen shpesh në korridore për shkak të qëndrueshmërisë, por përdoren edhe në shtëpi moderne. Element karakteristik janë fijezat e buta, pasi shtylla zakonisht është pambuku dhe tekstura e hollë lejon vendosjen edhe nën derë.
• TAPETE KERMAN
Qyteti Kerman ndodhet në juglindje të Persisë dhe shumë prej këtyre tapeteve janë përdorur në oborret mbretërore në mbarë botën. Ngjyra mbizotëruese është zakonisht e kuqja dhe dizajni kryesor përfshin një medaljon të madh në qendër, të rrethuar nga një bordurë e gjerë e stolisur me lule. E gjelbra e çelët është një ngjyrë popullore dhe konsiderohet e shenjtë. Përdoret lesh me cilësi shumë të lartë, me ngjyra bimore dhe natyrale. Këto tapete prodhohen në përmasa të mëdha pasi synojnë të zbukurojnë hapësira të gjera qendrore.
• TAPETE BIDJAR (BIJAR)
Qyteti ndodhet në Iranin perëndimor, ku prodhohen tapetet më të forta dhe më të qëndrueshme në botë, të njohura si “tapete persiane prej hekuri”. Janë të trasha, të dendura dhe më të rënda, me lesh të cilësisë së shkëlqyer. Motivi karakteristik është rombi, brenda të cilit ka një lule, ndërsa në katër cepat e rombit shfaqen gjethe. Ngjyrat mbizotëruese janë e kuqja e errët dhe bluja, e zeza dhe pak e gjelbër për disa detaje. Për shkak të qëndrueshmërisë, këto tapete mund të vendosen lehtësisht në hapësira publike, si recepsione hotelesh. Kategoria më e rafinuar te Bijar konsiderohet “Takab”, ku përdoret edhe mëndafsh për detajet.
• TAPETE BAKHTIAR
Dekori i këtyre tapeteve përfshin katrorë që mbajnë motive kopshti ose medaljone. Janë të forta dhe të qëndrueshme, ndërsa leshi i përdorur është më i miri në Persi, pasi vjen nga delet e rritura në male, duke e bërë atë të trashë dhe me shkëlqim. Janë të njohura te koleksionistët. Janë tapete nomade dhe prodhohen në Iranin lindor, pranë Isfahanit. Ngjyrat mbizotëruese janë e kuqja dhe kafeja, ndërsa shpesh ka edhe blu në kompozim.
• TAPETE SHIRAZ
Këto tapete vijnë nga provinca jugperëndimore e Farsit, me kryeqytet Shiraz-in. Janë tapete nomade dhe mbajnë motive gjeometrike të thjeshta, shpesh me një ose më shumë rombe në qendër. Ngjyra mbizotëruese është e kuqja e thellë ose e portokallta dhe motivet hasen kryesisht në nuanca blu. Në kompozimin qendror shfaqen lule dhe kafshë të stilizuara, që “përqafojnë” qendrën e tapetit. Janë rustic dhe me cilësi të mirë.
• TAPETE MOUD
Këto tapete prodhohen në verilindje të Persisë. Sa i përket dizajnit, mbajnë motivin karakteristik “Herati”, i përbërë nga një romb i stolisur me lule dhe gjethe në shkallë të vogël dhe që përsëritet simetrikisht, duke dhënë ndjesinë e një rrjete të dendur që mbulon të gjithë sipërfaqen qendrore. Leshi është i cilësisë së shkëlqyer, me detaje mëndafshi. Është një tapet i fortë dhe i qëndrueshëm.
• TAPETE ARDEBIL (ARDEBILL)
Këto tapete prodhohen në provincën e Azerbajxhanit në veriperëndim të Persisë. Motivet janë zakonisht gjeometrike me ndikime nga rajoni i Kaukazit. Tapeti është i hollë, i qëndrueshëm dhe i bukur, me stil paksa primitiv, ndërsa shtylla është kryesisht pambuku. Ngjyrat mbizotëruese janë bluja dhe e kuqja. Shpesh vendosen para dyerve pasi janë të hollë por të qëndrueshëm.
• GABBEH PERSIANE
Janë tapete nomade që prodhohen në jugperëndim të Iranit. Stili i tyre është primitiv, me dizajne “fëmijërore” dhe teknikë rustic. Janë të frymëzuara nga mjedisi ku jetonin nomadët, të cilët, me thjeshtësi dhe prirje për abstraksion, krijonin tapete me stil modern. Leshi është me cilësi të mirë dhe shumë i përhapur në botën perëndimore.
• TAPETE TORKAMAN
Këto tapete vijnë nga rajoni i Turkmenistanit dhe nga zona fqinje. Janë të cilësisë së lartë sa i përket ndërtimit, ndërsa përdorimi i mëndafshit në push dhe i leshit të pastër është i shpeshtë. Teknikisht dallohen për motivet e tyre gjeometrike të përsëritura, të kornizuara nga një bordurë e gjerë. Ngjyrat kryesore janë e kuqja e thellë, vjollca dhe okra, të kombinuara me ngjyra plotësuese. Falë teknikës së tyre, mund të zbukurojnë lehtësisht çdo stil shtëpie, nga klasik te modern–minimal.
• TAPETE VARAMIN
Kjo kategori e tapeteve të punuara me dorë prodhohet në qytetin Varamin në Persinë veriore, nga fiset nomade të zonës. Janë të njohura për teknikën e tyre të rafinuar sa i përket dizajnit dhe ngjyrave dhe janë shumë pranë tapeteve klasike për nga stili. Motivi karakteristik, i cili zakonisht përsëritet në të gjithë sipërfaqen, është një vazo e punuar me lule ose buqeta lulesh të shpërndara në të gjithë tapetin.
• TAPETE KORDI
Kjo kategori e veçantë e tapeteve është krijuar nga nomadët e rajonit të Kurdistanit, pranë kufijve me Turqinë dhe Irakun. Teknika e tyre konsiston kryesisht në përdorimin e motiveve gjeometrike në shkallë të vogël, si trekëndësha, rombe dhe oktagone, madje edhe figura njerëzish mikroskopike, të dhëna në mënyrë më primitive dhe të thjeshtë. Nuk është rastësi që stili i tyre frymëzohet nga mënyra natyrore e jetës së nomadëve endacakë. Ngjyrat më të shpeshta janë nuancat e errëta të blu-së dhe të kuqes.
• TAPETE LILYAN
Kjo kategori vjen nga një fshat i Persisë, në Iranin perëndimor, i njohur si Lilyan, dhe prodhohet nga armenët. Tapetet kanë push mjaft të trashë dhe të qëndrueshëm, ndërsa ngjyrat janë të forta dhe të ndritshme. Materiali bazë është leshi i cilësisë së lartë.
• TAPETE GASHQYAI (QASHQAI)
Kjo kategori e njohur e tapeteve nomade e ka marrë emrin nga nomadët Qashqai në jugperëndim të Persisë. Tapetet prodhohen nga lesh i cilësisë së shkëlqyer dhe nga pikëpamja e dizajnit janë ndikuar thelbësisht nga mënyra e jetesës së këtyre fiseve. Prandaj dekori përfshin lule, zogj, bimë dhe figura njerëzish në miniaturë, të gjitha të dhëna me një teknikë më primitive–abstrakte. Ngjyrat mbizotëruese janë e kuqja e errët, bluja dhe okra. Kjo kategori konsiderohet ndër më cilësoret dhe më të rafinuarat e tapeteve nomade.
• TAPETE TAFRESH
Kjo kategori e tapeteve nomade të punuara me dorë prodhohet në qytetin e vogël Tafresh në Persinë perëndimore. Ky lloj i ngjan shumë në teknikë dhe në ngjyra kategorive të tjera nomade si Hamedan, Qashqai, Lilyan dhe Kordi. Dekori përfshin motive natyrore, të frymëzuara nga mjedisi dhe të dizajnuara me një filozofi më gjeometrike–abstrakte, gjithnjë në ngjyra natyrale. Thurja është e dendur dhe pushi i trashë e i qëndrueshëm, ndërsa cilësia e lartë e leshit si material bazë i jep tapetit një teksturë të butë dhe luksoze. Zakonisht prodhohen në madhësi të vogla.
• TAPETE MALAYER
Kjo kategori përbën një grup shumë të veçantë dhe të dallueshëm të tapeteve persiane. Teknikisht janë pranë stileve të tapeteve nomade me cilësi të lartë si Qashqai dhe Hamedan. Motivi më i zakonshëm është një medaljon i madh në qendër, kompozim që kujton tapetet klasike, me dallimin se këtu motivet jepen në mënyrë më gjeometrike–abstrakte. Përdorimi i ngjyrave të forta si e kuqja e thellë, blu e errët dhe okra u jep këtyre tapeteve një pamje më rustic.
• TAPETE MYMEH (MIMEH)
Kjo kategori tapetesh persiane prodhohet në veriperëndim të Persisë. Elementi më karakteristik është një medaljon i madh në formë diamanti që mbizotëron në qendër dhe që përmban medaljone koncentrike më të vegjël. Ngjyrat më të zakonshme janë natyralet e errëta si e kuqja, bluja dhe pak bezhë për detajet. Si në shumicën e tapeteve nomade, edhe këtu përdoret 100% lesh i pastër, çka i bën veçanërisht të qëndrueshëm dhe të përshtatshëm për përdorim të gjerë.
• TAPETE MEHRABAN
Kjo kategori vjen nga veriu i Persisë dhe dekorimi i saj është shumë pranë atij të tapeteve klasike persiane. Motive tipike si rozeta qendrore dhe arabeskat që e kornizojnë e vendosin këtë kategori te tapetet tradicionale klasike. Në përgjithësi janë shumëngjyrëshe dhe leshi i përdorur është i cilësisë së lartë. Prodhpohen kryesisht në përmasa të mëdha, pasi synojnë të zbukurojnë jo vetëm shtëpi të mëdha, por edhe hapësira publike.
• TAPETE JOOSAN
Kjo kategori prodhohet në rajonin qendror të Persisë dhe, sa i përket dizajnit, i ngjan stilit gjeometrik të tapeteve nga rajonet Qashqai dhe Sarough. Medaljonet mbresëlënëse në qendër kornizohen nga arabeska, gjithmonë në një stil më gjeometrik–folklorik.
• SHAHSHAVAN
Kjo kategori e veçantë është punuar nga fiset nomade që jetojnë në Azerbajxhan, në veriperëndim të Persisë. Ashtu si tapetet e tjera nomade, edhe këto janë të frymëzuara në dizajn dhe ngjyra nga mënyra e jetesës së pasur me imazhe dhe peizazhe të ndryshme e nomadëve. Tematika është e mbushur me elemente të mjedisit natyror si lule, zogj dhe kafshë, të dizajnuara me një optikë gjeometrike–abstrakte dhe të theksuara nga kontrastet e forta të ngjyrave.
• AGCHE
Kjo kategori karakteristike nga veriu dhe qendra e Afganistanit prodhohet si nga vendasit ashtu edhe nga popujt fqinj turkmenë. Janë tapete të qëndrueshme, gjithë-lesh, dhe karakterizohen nga nuancat e forta të të kuqes së thellë, deri në burgundy. Në sipërfaqe, në qendër, mbajnë motivin karakteristik të “gjurmës së elefantit”, i cili shfaqet në çifte të dyfishta me nga tetë përgjatë gjatësisë. Shpesh dizajnet kornizohen me vija të holla bezhë, për të sjellë një efekt më të ndritshëm mbi sfondin e errët.
• BUHARA (BUKHARA)
Qyteti Bukhara ndodhet në kufijtë veriorë të Azisë Qendrore dhe prodhon një stil shumë karakteristik dhe lehtësisht të dallueshëm. Stili është tërësisht gjeometrik dhe përbëhet nga forma të caktuara gjeometrike të vendosura në qendër. Motivete më të zakonshme janë rombet dhe “gjurma e elefantit”, që zakonisht zë qendrën në një rresht me dy ose tre së bashku. Këto tapete prodhohen nga lesh ose në kombinim lesh–mëndafsh. Ngjyra e preferuar është e kuqja e thellë si sfond. Nuk mungojnë edhe variantet me fildish–bezhë si ngjyrë kryesore, të kombinuara me blu të hapur ose gri në detaje.
• MAROKO
Maroku prodhon tapete të karakterizuara nga ngjyra shumë të ndritshme dhe të forta si e portokallta e thellë, e kuqja dhe e gjelbra, të frymëzuara nga ngjyrat e pasura të natyrës afrikane. Motivet janë kryesisht të thjeshta dhe gjeometrike, duke dhënë një ndjesi primitivizmi në teknikë. Stili i tyre i ngjan shumë tapeteve nomade dhe moderne. Zakonisht janë me push të trashë, çka i bën të përshtatshme për përdorim të gjerë të përditshëm.
• ARIA
Këto tapete të punuara me dorë vijnë nga Afganistani dhe prodhohen nga banorët e veriut dhe verilindjes së vendit. Shtylla e kësaj kategorie është prej leshi, ndërsa ngjyrat mbizotëruese janë të ngrohta si e verdha e errët dhe e portokallta. Shpesh, për të krijuar kontrast, artistët i kombinojnë me ngjyra më të ftohta si bluja e hapur për të theksuar edhe më shumë dizajnin. Stili është gjeometrik dhe motivet jepen me detaj dhe densitet.
• SHIRVAN
Ky lloj tapeti i punuar me dorë realizohet në rajonin Shirvan në Azerbajxhanin persian dhe konsiderohet ndër më të mirët dhe më të rafinuarit në Kaukaz. Tapeti është i hollë, i dendur dhe plotësisht prej leshi. Motivet janë zakonisht gjeometrike dhe mbulojnë të gjithë sipërfaqen qendrore si një rrjetë e dendur. Ngjyrat janë të gjalla dhe të forta dhe, si te Aria, vihen re kontraste mes ngjyrave të ngrohta dhe të ftohta.
• ARAK
Këto tapete prodhohen në pjesët perëndimore të Persisë qendrore. Dizajni sjell lloje të ndryshme motivesh, por shpesh kanë një medaljon qendror dhe një kontur të veçantë, të ngjashëm me tapetet Kerman ose Kashan. Sidoqoftë, këtu nuk haset detaji dhe dendësia e Kashan-it. Teknikisht i përkasin kategorisë së tapeteve klasike, shpesh me prirje lehtësisht gjeometrike. Ngjyrat mbizotëruese janë bazike: e kuqe, blu, fildish. Janë shumë të qëndrueshme me densitet të lartë nyjesh dhe lesh me shkëlqim.
• FARAHAN
Ky lloj tapeti vjen nga qyteti Farahan, në qendër të Iranit, në jug të Teheranit. Në Perëndim njihen edhe si tapete Mahal. Kanë motive Herati—një lule brenda një rombi ose rozete—që rrethohet nga katër gjethe akantusi. Ngjyrat mbizotëruese janë bluja e errët dhe e kuqja. Materiali i shtyllës është zakonisht lesh ose pambuk, ndërsa në push, përveç leshit, përdoret gjerësisht edhe mëndafshi. Përveç në Persi, Farahan prodhohen edhe në Pakistan, pasi dizajni i tyre ndikoi prodhuesit vendas, duke i bërë mjaft popullorë atje.
• NANAJ
Tapetet Nanaj enden në fshatra të vegjël rreth Malayer-it, në zonën Hamedan të Iranit. Janë tapete me thurje të qëndrueshme dhe push të butë e të trashë. Endësit tradicionalë përdorin shtyllë dhe thurje pambuku të fortë, ndërsa fijet lidhen me teknikën e nyjës turke, që e bën thurjen të zgjasë për breza. Leshi vendas është cilësor dhe ka një shkëlqim natyral që krijon një efekt vizual shumëplanësh.
• MESHKIN
Ky lloj prodhohet në Meshkinshahr, pranë Herizit në verilindje të Persisë, afër kufijve kaukazianë. Shpesh janë të destinuar për korridore, prandaj edhe dimensionet janë më të gjata dhe të ngushta. Mjeshtrat përdorin forma gjeometrike të përsëritura për të dekoruar sipërfaqen, ndërsa stili është tipikisht nomad. Ngjyrat mbizotëruese janë e kuqja e thellë, vjollca dhe okra, duke sjellë ndjesi ngrohtësie në hapësirë. Janë të përshtatshëm për shtëpi me estetikë rustic.
• TAPETE KINEZE
Kina ka një traditë të gjatë në prodhimin e tapeteve; shembujt e parë përmenden rreth 2.000 vjet më parë. Në lashtësi, tapetet përdorëshin gjerësisht në pallatet perandorake, gjykata dhe hapësira publike. Megjithatë, arti i tapeteve u fut në vend diku ndër shekujt XV–XVII. Dizajnet dhe ngjyrat në disa nga tapetet më të vjetër kinezë janë shpesh të frymëzuara nga arti i porcelanit dhe miniaturës. Përveç motiveve bimore, herë pas here shfaqen simbole fetare të vjetra me forma të stilizuara dragojsh dhe krijesash mitike nga kultura dhe mitologjia kineze. Shumica kanë push karakteristik të trashë dhe të qëndrueshëm, me shtyllë pambuku, ndërsa vendosja e motiveve krijon efekt tredimensional me ndjesi të theksuar thellësie dhe perspektive.
• TAPETE TURKE
Tapetet më të vjetra turke u prodhuan në shekullin XIII në Konya, një qendër historike e artit të tapeteve. Tapetet e shekujve XVI dhe XVII kanë teknikë të shkëlqyer dhe janë aq të bukura e të rafinuara sa krahasohen me ato persiane. Tapetet turke janë ndikuar dukshëm nga kultura e grekëve të Anadollit, me histori të gjatë në artin e tapeteve. Tapetet më të trasha përbëhen nga lesh dhe pambuk; shpesh prodhohen edhe prej mëndafshi, me art dhe cilësi të jashtëzakonshme. Prodhimi realizohet sipas teknikës së famshme “nyja turke”. Artistët përdorin motive të bazuara në skena lutjeje me shumë elemente gjeometrike. Njerëzit dhe kafshët nuk paraqiten fare, pasi kjo konsiderohet e papranueshme sipas Kuranit.
• PATCHWORK
Tapetet Patchwork shpesh krijohen nga tapete të përdorur më herët, ku çdo copë e veçantë bashkohet si një pazëll për të formuar një tapet të ri. Të gjitha pjesët qepen së bashku, duke krijuar një përmasë dhe dizajn të ri. Ngjyrat dhe modelet zgjidhen posaçërisht për të krijuar harmoni në tërësi ose për të theksuar kontrastin. Mangesia kryesore është mungesa e qëndrueshmërisë, pasi janë më delikatë në përdorim krahasuar me kategori të tjera.
• TAROM
Prodhuesit e tapeteve Tarom zakonisht ndjekin stilin dhe teknikën e tapeteve nomade me një stil të theksuar rustic. Shpesh përdorin pambuk cilësor në shtyllë për t’i dhënë jetëgjatësi. Këto tapete prodhohen shpesh në madhësi të vogla, me ngjyra natyrale si e kuqja, e gjelbra dhe fildishi, ndërsa dizajnet janë të thjeshta dhe gjeometrike. Tradita është ruajtur mirë nga brezat e mëparshëm, zakonisht nga nomadët e rajonit.
• CHECHEN
Çeçenia është një rajon rus i njohur për leshin dhe artin e thurjes së tapeteve. Tapetet çeçene ndajnë tiparet bazë të tapeteve të punuar në zonat e Kaukazit. Sa i përket stilit dhe teknikës, janë shumë pranë tapeteve Kazak, duke ndarë, më pak a më shumë, të njëjtat motive dhe ngjyra. Prodhuesit preferojnë motive gjeometrike për të dekoruar sipërfaqen, në një gamë të gjerë ngjyrash të ndritshme, shpesh kontrastuese, me shumë detaje. Gjatësia e pushit varion midis atij shumë të shkurtër të Shirvan-it dhe atij më të trashë të Kazak-ut.
• ARDAKAN
Kjo kategori prodhohet në rajonin Ardakan, pranë Yazd-it në Iranin qendror. Sa i përket dizajnit, i ngjan tapeteve klasike: një medaljon i punuar me mjeshtëri në qendër i kornizuar nga motive bimore, hardhi dhe kompozime të frymëzuara nga kopshtet. Pushi është zakonisht lesh, ndërsa shtylla shpesh pambuku. Ky lloj haset në një gamë të gjerë përmasash, megjithëse preferohen ato më të mëdha.
• HORZIN
Qyteti provincial Horzin, pranë Afganistanit, prodhon një gamë të gjerë objektesh të vogla arti me funksion praktik, duke pasqyruar stilin nomad–folklorik të rajonit. Shembull karakteristik janë jastekët prej leshi që përdoren si shalë dhe shpesh zbukurohen me amulete si “syri i keq”. Dizajnet janë gjeometrike dhe ngjyrimet të forta. Materiali bazë i përdorur është leshi, si në shtyllë ashtu edhe në push, për të rritur qëndrueshmërinë.
|